Skip to main content

Javët e shtatzënisë:

Java e 30-të e shtatzënisë: Bebja juaj e merr pozitën e fetusit

Në javën e 30-të të shtatzënisë, ju jeni në mes të muajit të tetë, në tremujorin e tretë dhe të fundit të shtatzënisë. Për shkak të madhësisë së bebes, hapësira në mitër bëhet e ngushtë për të dhe lëvizjet e saj ndryshojnë.

Gjatësia dhe pesha e foshnjës në javën e 30-të të shtatzënisë

Në javën e 30-të të shtatzënisë, bebja juaj tashmë është e gjatë rreth 40 centimetra. Kur mendoni për selinon, ajo është për nga madhësia më e ngjashme me gjatësinë e foshnjën në javën e 30-të të shtatzënisë. Me një peshë prej rreth 1.300 gram deri në 1.400 gram, tani është pothuajse një kilogram e gjysmë, që korrespondon me një pako e gjysmë mielli. Madhësia dhe pesha e foshnjës, gradualisht marrin formën që do ta ketë kur të lindë.

Zhvillimi i foshnjës

 

Zhvillimi i mushkërive

Zhvillimi i mushkërive të foshnjës janë gati plotësisht të përfunduara.

 

Zhvillimi i traktit të tretjes

Trakti i tretjes është gjithashtu gati plotësisht i zhvilluar - gjithçka që fëmija juaj ka nevojë për tretje tani është aty. Bebja mund të pijë, të gëlltisë, ta tretë dhe ta nxjerrë jashtë lëngun amniotik. Kjo është një aftësi e rëndësishme për jetën e saj jashtë barkut të nënës dhe garanton ushqimin e vet me qumështin e gjirit. Sidoqoftë, zorra e trashë nuk është zhvilluar plotësisht as në kohën e lindjes - gjithashtu flitet për një sistem tretës të pa maturur. Sidomos në tre-katër muajt e parë të jetës, shpesh ndodhin probleme të lidhura me tretjen, të tilla si fryrje nga gazrat dhe dhimbje barku. Shumica e këtyre problemeve janë të padëmshme dhe nuk janë për tu shqetësuar.

Zhvillimi i jastëkëve dhjamorë dhe enëve kapilare

Gradualisht, bebja juaj do të bëhet rrumbullake dhe do të krijojë "dhjamin foshnjor". Kjo e bën strukturën e trupit të bebes më kompakte. Jastëkët e vegjël të dhjamit të foshnjës, përfaqësojnë rezervën që i nevojitet pas lindjes për të rregulluar nxehtësinë e trupit dhe për të siguruar mbijetesën e saj derisa qumështi i gjirit i maturuar me yndyrë të lartë të jetë në dispozicion për të.

Jo vetëm që janë krijuar jastëkët dhjamorë nën lëkurën e fëmijës, por janë edhe enët e vogla të degëzuara të gjakut - të quajtura kapilarë – tashmë të formuara. Lëkura furnizohet me gjak nëpërmes sistemit kapilar dhe furnizohet me lëndët e rëndësishme ushqyese. Si pasojë e kësaj, lëkura e foshnjës tani merr ngjyrë të lehtë rozë.

 

Zhvillimi i pozicionit të fetusit

Sasia e lëngut amniotik i përshtatet gradualisht rritjes së fëmijës dhe gradualisht zvogëlohet në atë mënyrë që foshnja të ketë më shumë hapësirë.Meqenëse ka gjithnjë e më pak hapësirë në bark për foshnjën dhe ajo nuk mund të shtrihet më, foshnja merr të ashtuquajturin pozicionin fetal. Ajo i rrudhë këmbët drejt trupit. Fëmija e mban këtë qëndrim edhe pasi të ketë lindur. Pas rreth tri javëve qëndrimi pas lindjes, foshnja e humb atë shprehi dhe fillon të qëndrojë e shtrirë në shtratin e saj. Pozicioni me këmbët e rrudhura, kruspull, ka kuptim më të gjerë në ditët e para të jetës, sepse ia mundëson të porsalindurit të ruaj nxehtësinë e trupit.Për këtë arsye, është e zakonshme në shumë vende të botës që fëmijët e porsalindur pa rroba të bebeve të mbështillen fort për ngrohtësi në thesin e bebeve. Thesi i bebes e ndihmon atë të mbajë nxehtësinë e trupit të bebes të qëndrueshme dhe imiton ngushtësinë e ngrohtë të mitrës. Kjo ka efekt qetësues tek i porsalinduri dhe e ndihmon atë të përshtatet me jetën jashtë mitrës. Gjëja më e mirë për të bërë është të ndryshoni mënyrat e bartjes, me bartëse që lidhet për trup, me karrocë të bebeve, me thesin e bebeve, në krahët tuaj dhe në shtratin e bebes. Kontrolloni thesin e bebes nëse është mjaft i ngrohtë edhe gjatë dimrit apo nëse bebja juaj e dashur ka nevojë për ngrohtësinë shtesë.

 

Hapat e mëtejshëm të zhvillimit

Në javën e 30-të të shtatzënisë dhe në javët në vijim, qimet e vogla lanugo do të zhduken gradualisht, ashtu që bebja juaj do të bart vetëm një sasi të vogël të pushit në lëkurën e saj kur të lindë. Nga kjo javë e tutje, bebja juaj mund të ndjejë dhimbjen, gjë të cilën shkencëtarët e kanë konfirmuar pasi më herët këtë gjë e kanë mohuar. Prirja për të përdorur dorën e majtë ose të djathtë – mëngjërash (i majtë) ose djathtak - është përcaktuar tashmë në barkun e nënës.

Në ekzaminimin e fundit të madh para lindjes me ultratingull, përcaktohet edhe një herë pa asnjë dyshim vendndodhja e placentës, qafa e mitrës. Kjo është e rëndësishme për rrjedhën e lindjes. Placenta ekzistuese, d.m.th. nëse është përpara qafës së mitrës (placenta praevia), për shembull, e përjashton lindjen natyrale. Në shumicën e rasteve, për sigurinë e nënës dhe fëmijës, kryhet operacioni cezarian.

Kështu ndihet nëna e ardhme në javën e 30-të të shtatzënisë

Në javën e 30-të të shtatzënisë, sigurisht që do të kujdeseni për lehtësimin ose parandalimin e ankesave tuaja për shpinën dhe këmbët. Lëvizja bëhet gjithnjë e më e vështirë për juve dhe ju mbusheni frymë kur ngjiteni shkallëve. Ashtu sikur të gjitha organet në zonën e barkut dhe gjoksit, mushkëritë tuaja janë të shtypura dhe janë disi të ngushtuara. Por, barra që duhet të bartni tani, gjithashtu, ju bën të merrni frymë më shpejt. Shtatzënia për organizmin e një gruaje do të thotë sport me performancë të lartë, sepse kërkon performancë maksimale. 

Shenjat dhe simptomat e zakonshme

Kruajtja dhe strijat

Ndonjëherë, ju ndjeni kruajtje për shkak të tensionimit të lëkurës. Prandaj, me krem ose vaj, lyeni çdo ditë të gjitha zonat e lëkurës që vuajnë nga ky stres i veçantë gjatë shtatzënësisë. Përvoja e dermatologëve dhe grave që tashmë janë nëna, kanë dëshmuar se kjo është mënyra më e mirë për t’i parandaluar strijat. Pas këtyre lyerjeve, ato shfaqen më pak, janë më të vogla dhe më pak të theksuara. Strijat që janë vetëm pak të formuara, zhduken përsëri shumë shpejt pas lindjes dhe nuk lënë shenja të shëmtuara.

Lyerja me krem, nuk është një mënyrë e sigurt për të shmangur strijat. Shfaqja e strijave të shtatzënisë, gjithashtu, varet nga lloji i lëkurës dhe predispozitat gjenetike.

Rritja e qimeve mbi bark

Me siguri, ju keni vërejtur shumë ndryshime që po ngjanë në trupin tuaj gjatë javëve të fundit. Përveç ngjyrës së errët të areolës së gjinjve dhe linea nigra, vijë e cila shkon nga kërthiza deri te kockat pubike, ka edhe simptoma të tjera që ndodhin tek disa gra. Rritja e qimeve mund të përhapet mbi barkun me barrë, intensiteti i rritjes së qimeve, gjithashtu, është i ndryshëm. Kjo rritje e qimeve lidhet me çlirimin e hormoneve. Besohet se gratë që presin fëmijë mashkull, preken më shpesh dhe më intensivisht nga rritja e qimeve, sepse testosteroni, hormoni seksual mashkullor i djalit, shkakton rritjen e qimeve. Një tezë tjetër thotë se barku me barrë ka nevojë për mbrojtje të veçantë, e cila shkakton rritjen e qimeve. Por, asgjë nuk është e konfirmuar.

Përmbledhje e këshillave më të mira

  • Siguroni zhvillimin e shëndetshëm të foshnjës tuaj, duke marrë kalcium me sasi të mjaftueshme nëpërmjet ushqimit. Burimet më të mira të kalciumit janë qumështi dhe produktet e qumështit (të tilla si kosi dhe djathi). Perimet e gjelbra si brokoli, lakra e gjelbër, kopra dhe rukolla, janë gjithashtu burime të rëndësishme të kalciumit. Uji mineral është i përshtatshëm, gjithashtu shumë i pasur me kalcium. Arrat janë gjithashtu të pasura me kalcium.
  • Lejoni që mamia juaj t'ju tregojë ushtrimet e frymëmarrjes. Këto do t'ju ndihmojnë në situata kur ju bëhet barku i fortë. Më vonë, frymëmarrja e qëlluar ka efekt lehtësues gjatë dhimbjeve të lindjes dhe efekt relaksues.
  • Mundohuni të keni ndjenjën e dhimbjeve të barkut. Shikoni nëse bëhet fjalë për dhimbjet që shkaktohen nga rritja. Intensiteti i dhimbjes gjatë lindjes është dhimbje tjetër. 

Pyetjet e mundshme për mjekun ose maminë

Lokalizimi i placentës dhe lindja e pritshme me prerje cezariane

Bazuar në imazhet e ultrazërit, mjeku e gjen pozicionin se ku ndodhet placenta në mitër. Nëse vendndodhja e placentës është në pjesë e sipërme, placenta praevia, mund të klasifikohet si e diskutueshme, atëherë pritet lindja me prerje cezariane.
Edhe nëse teknika kirurgjike e prerjes cezariane (Sectio caesaria) është zhvilluar shumë në vitet e fundit, ajo duhet të mbetet si përjashtim.

Gjatë operacionit që zgjat afërsisht 40 minuta, bebja lind me prerje nga mitra. Kjo kërkon anestezion për nënën. Anestezioni përzgjidhet në mënyrë që të mos e dëmtojë fëmijën.
Nëse placenta juaj është në pozitë të tillë që e mbyllë qafën e mitrës dhe këshillohet të bëhet operacioni cezarian, atëherë merrni sqarime të hollësishme dhe përgjigje të detajuara ndaj pyetjeve tuaja të parashtruara.

Informata për autoren:

Juliane Jacke-Gerlitz është infermiere e licencuar. Ajo ka dhënë Këshilla për Nënat dhe gjidhënien për më shumë se dhjetë vjet. Ajo aktualisht punon si shkrimtare për temat mjekësore dhe këshilltare psikologjike. Juliane Jacke-Gerlitz është e martuar qe 22 vjet, është nënë e tetë fëmijëve dhe jeton me familjen e saj në Halle.