Skip to main content

Javët e shtatzënisë:

Java e 8-të e shtatzënisë: Foshnja është e lidhur me qarkullimin e gjakut të nënës

Ju jeni në javën e tetë të shtatzënisë, në fund të muajit të dytë dhe brenda tremujorit të parë.

Gjatësia e foshnjës në javën e 8-të të shtatzënisë

Me madhësi prej rreth 1.5 ose 1.6 centimetra, embrioni ka arritur madhësinë e një fryti të manaferrës nga java e 8-të e shtatzënisë. Fryrjet gjithashtu ngjajnë me ato të një manaferre, më vonë nga këto fryrje do të dalin gishtat e duarve dhe këmbëve. Kjo është arsyeja pse ne më herët folëm për fazën e “ariut të ëmbël” (Gummibärchen) - sepse duart dhe këmbët e një ariu janë po ashtu të fryra. Rritja e foshnjës është e qëndrueshme, gjë e cila mund të vërehet javë pas jave. Sidoqoftë, është ende shumë herët për të përcaktuar peshën e foshnjës. Sipas vlerësimeve mjekësore, megjithatë, pesha e saj duhet të jetë rreth 0.25 gram.

Zhvillimi i foshnjës

Në javën e 8-të të shtatzënisë, i vogli juaj ngre kokën për herë të parë dhe shtrihet. Gjymtyrët vazhdojnë të zhvillohen. Duart dhe këmbët ngadalë marrin formë dhe zhvillohen gishtërinjtë e duarve dhe këmbëve. Midis gishtërinjve të duarve dhe gishtërinjve të këmbëve, ekziston ende një lëkurë që të kujton këmbët e patës që shërbejnë për not. Kjo së shpejti do të zhduket dhe fëmija juaj së shpejti do të jetë në gjendje të lëvizë gishtat e duarve dhe gishtat e këmbëve, një nga një.

Një palë e lehtë e lëkurës mund të shihet mbi sy, kjo palë më vonë e formon qepallën. Sidoqoftë, duhet ende pak kohë derisa struktura dhe funksioni përfundimtar i syve të zhvillohen plotësisht.

Në fotografitë me ultrazë, truri i ardhshëm tashmë mund të dallohet si një shtojcë e përbërë nga flluskat në kokë. Këto janë fazat paraprake të kokës së një foshnje, ashtu sikur që e ka foshnja e porsalindur.

Stomaku dhe veshkat, janë organet e para të brendshme që tashmë janë formuar. Kjo sepse këtyre organeve ju duhet më së shumti kohë për të zhvilluar strukturën e vet anatomike dhe funksionin fiziologjik. Të gjitha organet tjera jetësore, do të shtohen në javët e ardhshme.

Nga java e 8-të e shtatzënisë, fëmija juaj ngadalë e kalon zhvillimin nga embrioni në fetus.

Zemra e vogël rreh me frekuencë dy herë më të madhe se sa e një të rrituri dhe pompon vazhdimisht gjak të pasur me oksigjen për organizmin e vogël. Kjo i përkrah të gjitha organet për zhvillimin e shëndetshëm. Oksigjeni është kërkesa themelore për zhvillimin e foshnjës tuaj dhe duhet të jetë gjithmonë i disponueshëm në sasi të bollshme. Përgjegjëse për këtë është funksionimi korrekt i placentës.

Kështu ndihet nëna e ardhme në javën e 8-të të shtatzënisë

Tani mund të vini re se në javën e 8-të të shtatzënisë shenjat tipike të shtatzënisë gradualisht lehtësohen. Kjo për faktin se trupi juaj gjithnjë e më shumë i përshtatet nivelit hormonal. Deri në fund të muajit të tretë të shtatzënisë, të përzierat, të vjellat dhe dhimbjet e tërheqjes në bark duhet të jenë zhdukur. Vetëm gjinjtë do të vazhdojnë të rriten dhe të përgatiten për të ushqyer fëmijën tuaj pas lindjes. Por, gjithashtu tendosja me dhimbje dhe mbindjeshmëria e thithave, tani për tani do të ulet.

Vazhdoni të kujdeseni për veten tuaj për të mbrojtur foshnjën tuaj dhe mos ndërmerrni rreziqe të panevojshme. Duhet të keni kujdes, veçanërisht kur bëhet fjalë për stimuluesit që përmban kafja dhe pijet tjera që përmbajnë kafeinë, siç është cola. Alkooli dhe nikotina gjithsesi duhet të mbeten tabu për zhvillimin e shëndetshëm të foshnjës tuaj.

Shenjat dhe simptomat e zakonshme

Jeta emocionale e çekuilibruar

Ende nuk ka asnjë shenjë të përplasjes së foshnjës në bark. Miqtë dhe të njohurit tuaj ende nuk kanë dëshmi se jeni shtatzënë. Vetëm njerëzit e njohur mund të vërejnë një ndryshim të situatës tuaj emocionale, sepse ndjenjat tuaja tani janë të ndryshueshme si në slitë rrotulluese. Një minutë më herët, ju keni rrezatuar lumturi, në minutën tjetër do të jesh pranë lotëve. Në çdo rast, tani jeni si "të përbërë nga uji". Kjo mund të vërehet edhe nga ata që janë përreth jush, siç janë kolegët e punës ose miqtë, sepse është e vështirë për juve të përmbaheni dhe të kontrolloni këto shpërthime emocionale. Ju ndoshta e njihni këtë gjendje shpirtërore nga koha e pubertetit tuaj, sepse ndryshimi i nivelit të hormoneve është arsyeja e konfuzionit në jetën tuaj emocionale.

Përmbledhje e këshillave më të mira

Me vetëdije së bashku me partnerin tuaj, merrni vendim se kur dhe kujt doni t’ia jepni lajmin e gëzueshëm. 

Shëtitjet e rregullta e ndihmojnë gjumin e mirë dhe përkrahin furnizimin e mjaftueshëm me oksigjen.

Hani lloje të ndryshme të perimeve, edhe si perime të papërpunuara. Kjo ju ndihmon të plotësoni nevojën e shtuar për vitamina dhe materiet tjera jetike.

Nëse keni përzierje, pini çaje të lehta gjatë gjithë ditës, kjo do t'ju ndihmojë për të rregulluar ekuilibrin e lëngjeve.

Blini ose merrni hua një libër shtatzënie. Kështu që ju mund të mësoni së bashku me partnerin tuaj se çfarë po ndodh në trupin tuaj.

 

Pyetje të mundshme për mjekun ose maminë

Acidi folik, vitamina B dhe jodi

Vazhdoni të mendoni për një dietë të freskët dhe të pasur me acid folik. Përveç kësaj, tani duhet të siguroheni që të merrni mjaftueshëm vitaminë B përmes ushqimit dhe, nëse është e nevojshme, nëpërmjet zëvendësimeve të tjera. Nevoja për jod gjithashtu rritet gjatë shtatzënësisë dhe gjithmonë duhet të plotësohet në mënyrë që gjëndra tiroide e foshnjës të zhvillohet pa probleme.

Pyesni mjekun tuaj për një preparat të përshtatshëm që i plotëson të dyja nevojat.

Pas lindjes, nevoja për acid folik fillimisht zvogëlohet. Sidoqoftë, një grua që i jep gji foshnjës së saj, ka nevojë për më shumë acid folik se sa një grua normalisht e rritur.

Sulmi ndaj smaltit natyral të dhëmbëve

Nëse vuani nga të vjella të mëdha ose keni vuajtur shumë në javët e fundit, duhet ta vizitoni dentistin tuaj. Acidi në stomak, i cili nxirët jashtë gjatë të vjellave, kalon nëpër zgavrën e gojës dhe gjithashtu prek rreth dhëmbëve. Acidi agresiv mund të ketë dëmtuar smaltin e dhëmbëve. Edhe nëse keni shpëlarë gojën dhe keni larë dhëmbët pas të vjellave, kjo mund të shkaktojë dëmtime të qëndrueshme të dhëmbëve tuaj.

Pas një ekzaminimi, dentisti juaj mund t'ju informojë nëse smalti mbrojtës i dhëmbëve tashmë është dëmtuar. Dentisti gjithashtu do t'ju tregojë për opsionet që mund t’ju ndihmojnë për mbrojtjen e dhëmbëve tuaj.

 

Informata për autoren:

Juliane Jacke-Gerlitz është infermiere e licencuar. Ajo ka dhënë Këshilla për Nënat dhe gjidhënien për më shumë se dhjetë vjet. Ajo aktualisht punon si shkrimtare për temat mjekësore dhe këshilltare psikologjike. Juliane Jacke-Gerlitz është e martuar qe 22 vjet, është nënë e tetë fëmijëve dhe jeton me familjen e saj në Halle.